Përgatitja e planit të biznesit është një prej hapave të parë në rrugëtimin për fillimin e biznesit të ri. Plani i biznesit ju mundëson që të planifikoni dhe të vlerësoni mënyrën se si do të realizohen të gjitha komponentet e biznesit si dhe lehtëson prezantimin e biznesit pranë palëve tjera.

“Nëse dështoni të planifikoni, ju planifikoni të dështoni,” kishte thënë Benjamin Franklin. Kjo thënje i përshtatet shumë biznesit dhe plani i biznesit pikërisht ndikon në drejtimin e ndërmarrësve drejt planifikimit. Nuk është e rastësishme që menaxherët e suksesshëm kalojnë shumicën e kohës në planifikim.

Paige Brown nga Booking Markets, konsideron se shkruarja e planit të biznesit ju ndihmon të përballeni me investitorët potencial.

Nëse dështoni të planifikoni, ju planifikoni të dështoni!

“Hartimi i planit të biznesit ose vendosja e informatave të nevojshme për investitorët potencial, ju ndihmon që të mendoni më saktë për atë që dëshironi të bëni dhe se ku dëshironi të arrini. Është me rëndësi të mbahet mend që në momentin që shtypet plani i biznesit, menjëherë i kalon afati i përdorimit dhe ka nevojë për rifreskim të vazhdueshëm. Prandaj, nuk duhet të konsiderohet si një listë e detyrave. Është më shumë një udhërrëfyes për biznesin,” thotë Paige Brown.

Sipas drejtorit të Wise Business Plans, Joseph Ferriolo, plani i biznesit ka për bazë hulumtimin dhe ndihmon në parandalimin e problemeve në të ardhmen. “Arsyeja kryesore pse shkruhet plani i biznesit është shumë e thjeshtë. Ju nuk e dini se çfarë nuk dini për biznesin tuaj dhe ambientin e biznesit në të cilin operon biznesi juaj.”

Hulumtimi rreth biznesit dhe ambientit të biznesit ofron indikacione të qarta se a është e qëndrueshme idea e biznesit, a janë të nevojshme produktet dhe shërbimet që ofron biznesi juaj, shuma e mjeteve financiare të nevojshme për fillimin e biznesit dhe cilat janë qëllimet e biznesit.

Përveq kësaj, shkruarja e planit të biznesit poashtu ndihmon rreth financimit të biznesit. Nëse keni nevojë për të marrë një kredi apo keni nevojë për financim nga investitorë potencial, atëherë plani i biznesit është më se i nevojshëm. Kredidhënësit do të interesohen se si do të arrihet të paguhen kistet e kredisë ndërsa investitorët do të interesohen se çfarë kthimi në investim do të ketë.

Përmbajtja e planit të biznesit

Çdo plan i biznesit duhet të shkruhet qartë duke e vendosur lexuesin në shënjestër. Preferohet të shkruhet me paragrafe të shkurtëra, të përfshihen diagrame, skica, foto, lista, tabela, etj. Poashtu, kujdesuni që në plan janë përfshirë të gjitha aspektet e biznesit. Më poshtë, paraqesim pjesët që duhet të përfshihen në planin e biznesit.

Përmbledhja ekzekutive

Zakonisht kjo është pjesa e parë e planit të biznesit. Kjo pjesë i ofron lexuesit një përmbledhje të përgjithshme të biznesit tuaj duke mos hyrë në analiza të thella. Edhe pse kjo është pjesa më e rëndësishme e planit të biznesit, ekspertët sugjerojnë që kjo pjesë të shkruhet në fund.

Zakonisht plani i biznesit përgatitet për një qëllim të caktuar. Pasi që të përfundohen të gjitha detajet tjera në pjesët tjera të planit, është më lehtë të shkruhet përmbledhja ekzekutive dhe t’i përshtatet qëllimit të caktuar për çfarë është përgatitur plani i biznesit, qoftë ajo financimi përmes kredisë, kërkesa për financim pranë investitorëve apo prezentimi i idesë së biznesit pranë partnerëve strategjik potencial.

Përshkrimi i kompanisë

Kjo pjesë përshkruan qëllimet e biznesit tuaj dhe mënyrën se si do të plotësoni nevojat e tregut. Përshkrimi i kompanisë poashtu do të duhej të përshkruante përparësitë konkurruese të biznesit tuaj që ju mendoni se do ta bëjnë biznesin tuaj më të suksesshëm.

Analiza e tregut

Analiza e tregut përshkruan hulumtimin e tregut që keni bërë përfshirë specifikat e tregut të synuar dhe arsyet që ndikojnë që segmenti i caktuar i tregut të jetë i interesuar për produktin apo shërbimin tuaj.

Organizimi dhe menaxhimi

Në këtë pjesë të planit të biznesit përshkruhet organizimi i kompanisë përfshirë strukturën organizative dhe ekipin përgjegjës për menaxhimin e kompanisë.

Produktet dhe shërbimet e ofruara

Këtu ofrohen përshkrime të produkteve dhe shërbimeve që ofrohen nga kompania. Karakteristikat dhe detajet që veçojnë produktet e shërbimet tuaja nga ato të konkurrencës ndihmojnë lexuesin për të kuptuar më saktë ofertën e kompanisë tuaj.

Marketingu dhe shitja

Kjo pjesë ofron informata rreth metodologjisë që do të përdorni për të depërtuar në tregun e synuar si dhe strategjitë që do të zbatohen për të zhvilluar biznesin. Poashtu, përfshihen informata rreth strategjive dhe aktiviteteve të shitjes.

Parashikimet financiare

Këtu përshkruhen të arriturat e planifikuara financiare për periudhën e ardhshme prej 3 deri 5 vite. Investitorët potencialë, kredidhënësit apo partnerët potencial të biznesit mund të kërkojnë informata financiare të tilla për t’u siguruar që kanë marrë vendim të duhur dhe se investimi do të jetë i qëlluar.

Kërkesa për financim

Nëse plani i biznesit është përgatitur për të bërë kërkesë për kredi apo për ndonjë asistencë financiare tjetër, atëherë duhet të përfshihet edhe kërkesa për financim. Kjo pjesë përfshin specifika rreth asaj se sa mjete financiare janë të nevojshme tani dhe sa janë të nevojshme në të ardhmen.

Fleksibiliteti

Pjesët e paraqitura më lartë shërbejnë si një shembull praktik dhe kurrsesi nuk duhet të merren si të pa ndryshueshme. Plani i biznesit duhet të reflektoj llojin e biznesit që ju dëshironi të filloni.

Angazhimi i ekspertëve për përgatitjen e planit të biznesit

Nëse nuk mund të gjeni kohën e duhur për të përgatitur planin e biznesit, ju mund të angazhoni ekspertë të jashtëm për të ndihmuar në këtë drejtim. Por, keni parasysh që duhet të gjeni ekspertët e duhur me përvojën adekuate për të siguruar që kualiteti i planit të biznesit i plotëson kriteret e nevojshme për të arritur qëllimet tuaja.

Por, gjatë përgatitjes së planit të biznesit nuk duhet të mashtroni vetëvetën duke ekzagjeruar shifrat financiare për të siguruar financimin. Zakonisht, investitorët dhe bankat bëjnë edhe analizën e tyre financiare për të krahasuar numrat me parashikimet tuaja financiare. Planet e biznesit të pabazuara në hulumtime të tregut apo me shifra financiare spekulative mund të ndikojnë negativisht në arritjen e qëllimeve tuaja pasiqë plani i biznesit do të konsiderohet si jo serioz nga investitorët potencialë.

Nevoja për azhurnim të rregulltë

Plani i biznesit nuk është një dokument që përgatitet vetëm një herë dhe nuk rivizitohet më.

Preferohet që plani i biznesit të rivizitohet në intervale të rregullta kohore çdo muaj apo çdo tre muaj për të rifreskuar informatat e tregut dhe parashikimet financiare.

Azhurnimi i rregulltë ju mundëson që të jeni në dijeni për ecurinë e realizimit të planit dhe të bëni korrigjimet e duhura për të siguruar arritjen e parashikimeve dhe qëllimeve tuaja.

Resurse tjera

Ekzistojnë resurse të shumta në internet që mund të ndihmojnë në përgatitjen e planit të biznesit dhe në listën e mëposhtme paraqesim disa prej tyre: