Një ide e mirë është vetëm hapi i parë drejt një biznesi të suksesshëm. Një prej sfidave kryesore me të cilën përballen themeluesit e një biznesi të ri është financimi.

Ekzistojnë burime të ndryshme të financimit për biznese të reja, prej të cilave disa kërkojnë më shumë angazhim e disa të tjera mund të arrihen më lehtë.

Burimet e financimit për biznese të reja përfshijnë:

  • Kredi nga investitorët
  • Investime nga investitorët engjuj
  • Huazime nga miqtë apo familjarët
  • Grante për biznese të vogla
  • Kredi personale
  • Kredi për biznese të vogla.

Kreditë nga investitorët

Kreditë nga investitorët mund të konsiderohen si një nga metodat më të vështira për financimin e një biznesi të ri. Zakonisht investitorët kanë strategjitë e tyre për investime specifike të fokusuara në periudhë prej 3 deri në 5 vite. Poashtu, shpeshë, investitorët dëshirojnë të përfshihen në aktivitetet e biznesit dhe të marrin pjesë në vendimmarrje. Investitorët zakonisht janë në kërkim të ideve të biznesit që kërkojnë investime më të mëdha dhe sigurojnë kthim në investime.

Investimet nga investitorët engjuj

Investitorët engjuj janë individë me përvojë biznesi që ofrojnë kapital investues për biznese të reja në këmbim të pjesëmarrjes në pronësinë e biznesit. Ndonjëherë investitorët engjuj bëjnë edhe investime në formë të kreditimit.

Viteve të fundit, janë përhapur mundësi të reja online përmes platformave të ndryshme të tipit Crowdfunding ku investitorët engjuj mund të investojnë online në biznese të reja.

Ekzistojnë raste kur investitorët engjuj janë të organizuar nëpër rrjete të investitorëve engjuj, që mundësojnë investime të përbashkëta duke zvogluar rrezikun individual për secilin investitor.

Në Kosovë, tashmë ekzistojnë dy rrjete të investitorëve engjuj. Një ndër to është MDA Foundation e cila ka të krijuar rrjetin e investitorëve engjuj ku marrin pjesë njerëz me përvojë të madhe në zhvillimin e biznesit në Kosovë, si dhe rrjeti i investitorëve engjuj KOSBAN.

Praktika e financimit të bizneseve të reja përmes investimeve nga investitorët engjuj është popullarizuar me maseë të madhe pasiqë investitorët engjuj nuk ofrojnë vetëm financim, mirëpo ofrojnë edhe përvojë dhe ekspertizë në zhvillimin e biznesit. Bizneset e reja në këtë mënyrë përfitojnë nga aftësitë, këshillat dhe rrjeti i kontakteve të investitorëve engjuj.

Huazimet nga miqtë apo familjarët

Huazimet nga miqtë apo nga anëtarët e familjes mund të shërbejnë si një prej burimeve më të sigurta dhe më efektive për financimin e biznesit të ri. Gjithëmonë preferohet që të fillohet me diçka të vogël në mënyrë që gabimet eventuale të bëhen me një buxhet më të vogël, dhe më lehtë të menaxhueshëm.

Kur financimi huazohet nga njerëz që i njohim, preferohet që afatet e kthimit të huazimit të precizohen me shkrim për të evituar keqkuptimet në të ardhmen.

Ndoshta në momentin e huazimit, ju jeni miq, por kjo mund të ndryshoj në të ardhmen. Prandaj, kur kushtet janë të shkruara, kjo ndihmon që të evitohen konfliktet dhe problemet më vonë.

Grante për biznese të vogla

Qeveria dhe donatorët e ndryshëm ofrojnë grante për biznese të vogla sipas programeve të bazuara në strategjitë e tyre.

Përveq granteve për bizneset ekzistuese, ekzistojnë edhe skema të granteve që ndihmojnë bizneset e reja me shuma të vogla për lehtësimin e fillimit të biznesit.

Programe të tilla në Kosovë mundësohen dhe ofrohen nga organizata të ndryshme:

Zakonisht, shumica e këtyre programeve për grante karakterizohen me kritere të veçanta dhe mjaft specifike. Në shumicën e rasteve kërkohet që bizneset të jenë kreative dhe inovative dhe të ofrojnë mundësi për zgjerim jashtë lokacionit ku veprojnë.

Kreditë për biznese të vogla

Financimi përmes kredive bankare është mjaftë i vështirë duke pas parasysh faktin që bankat komerciale kërkojnë që kredimarrësi të ketë një histori të suksesshme të marrjes dhe kthimit të kredive në të kaluarën. Prandaj, si biznes i ri dhe si një ideator i ri dhe pa përvojë paraprake me kredi bankare, gjasat janë shumë të vogla.

Sipas profesionistit të pensionuar me përvojë shumëvjeçare në financimin e bizneseve nga Nju Jorku, Herbert Marks, për ata që nuk kanë krijuar historik me bankat, është mjaftë vështirë të marrin kredi.

“Banka zakonisht nuk pranon të ofroj kredi për biznese të vogla nëse pronari nuk ofron garancione personale në formë të hipotekës,” thotë Herbert Marks. Nëse pronari ka përvojë paraprake në sektorin në të cilin do të operoj biznesi i ri, atëherë kjo mund të përmirësojë dukshëm gjasat për kredi. Në përgjithësi për bizneset e reja është mjaftë vështirë të financohen përmes kredive.”

Në rastet kur biznesi i ri ka disa pronarë, lehtësime mund të ketë nëse ndonjëri nga pronarët ka krijuar historik bankar të suksesshëm, qoftë personal apo me ndonjë biznes tjetër, pasiqë banka mund ta marrë parasysh këtë si një indikacion pozitiv.

Kreditë personale

Kreditë personale mund të shërbejnë si formë e arsyeshme dhe efikase e financimit të biznesit. Secili individ që përdorë kreditimin personal për financimin e biznesit duhet të kujdeset shumë që një financim i tillë mos të ndikoj në stabilitetin personal financiar afatgjatë. Në rast të dështimit të biznesit, jeta personale nuk duhet të ndikohet nga ky lloj financimi.

Nëse jeni duke marrë kredi personale apo duke përdorur kartelat e kreditit për të financuar biznesin, do duhej të jeni shumë të sigurtë se çfarë po bëni. Sigurohuni që keni njohuri të mjaftueshme për biznesin të cilin jeni duke e filluar. Shpeshherë sugjerohet nga ekspertët që para se të filloni biznesin, të shkoni dhe të punoni në lëminë e njejtë për një periudhë së paku 6 muaj qoftë edhe pa pagesë. Kjo do të ju ndihmoj dhe mundësoj që të kuptoni më shumë dhe më saktë tregun, klientët, shpenzimet, mundësitë dhe rreziqet me të cilat do të përballeni gjatë zhvillimit të biznesit të ri.